Bashkim Shehu: Tri mbresa në kohë të ndryshme

Bashkim Shehu: Tri mbresa në kohë të ndryshme
Loading...

shehu

Arb Elo

Mbresat që vijojnë janë shkruar në kohë të ndryshme, të cilat përkojnë me daljen në dritë të librave në fjalë. Ndaj atyre u mungon vazhdimësia, por është pikërisht padituria e shkruesit për çka do të shkruajë autori në të ardhmen arsyeja se pse po i sjell kështu së bashku, ndonëse ka të ngjarë që të gjenden kundërthënie nga njëra te tjetra, në mos përgënjeshtrime të asaj që është shkruar më parë. Shpresoj të mos jetë ashtu, por edhe në qoftë, nuk kam ç’bëj. »Quod scripsi, scripsi«- thotë latini dhe në rastin e një autori me një jetëshkrim si të B.Shehut ky nuk do të ishte thjesht e vetëm një citat.

Mbresa nga »Mozart me vonesë«

Padyshim që Bashkim Shehu është një nga shembujt më fisnikë e njerëzorë se si mund të qepej shërueshëm plaga ende e hapur e së kaluarës sonë. Një nga të paktët njerëz, të cilët u imponojnë respekt të tëra palëve të kacafytësve, me të cilët, fatkeqësisht, për të tjerët e ata vetë, është aq i mbingopur lakmusi i gjakut shqiptar; një nga të paktët shembuj që na ushqejnë shpresën, po aq të mpakur, se më mirë do të bëhet, ndonëse gjasat na flasin një gjuhë tjetër. Ndaj është vështirë të harrosh autorin kur merr në dorë veprën e tij, pasi heshtja e tij është diç më e praruar se kur ai nis e flet. Për brezin tim, që shembja e murit e gjeti në një moshë aty nga mesi i mesjetës, kjo bëhet edhe më e vështirë. Ky dyzim më shoqëroi edhe gjatë leximit e nuk po mundesha të përqëndrohesha në rreshtat, a thua se në hapësirat mes fjalëve ish shkruar me bojë të padukshme një tekst edhe më i thellë e më tragjik prej kujtese të heshtur, a thua se realiteti i saj, si rrallëkund, e tejkalon për nga trandja a priori artin që frymëzohet prej tij, e këtij të fundit i duhet të mbijë e të ushqehet veç me të zezë e gri të errët. Frymëzohet është në këtë rast fjala e paduhur: frymënxjerrje, çlirim nga dreqërit, ekzorcizëm a më mirë pjellë, do i shkonin më për shtat asaj që po dua të them, por që është prej heshtjeje. Kush ka lexuar Dostojevskin a më saktësisht “Demonët” e nuk e ka harruar ende drithmën që të përçojnë honet profetike të ferrit të tij, ka përjetuar kokëposhtin e çfarë më sipër. Porse vepra e Shehut, nëse me vepër nënkuptojmë vetëm të zezën mbi të bardhë, ndonëse e bardha është këtu më e frikshme, nuk më kujtoi rusin e madh, por Kafkën. Adhuruesve të tij në Shqipëri a kudoqoftë u duhet rekomanduar doemos ky libër: qëmtuesve të rrathëve të skëterrës do u mungojë atje Virgjili, pasi Shehu, ashtu si edhe sivëllai i tij nga Praga, është i ushtruar në të qenit pavetor: edhe ai ka si çdokush një baba, jo vetëm hijerëndë e shtypës, por… ja, përsëri harroj gërmat e humb në kujtesë, sërish po i bëj “biografinë” autorit e po merrem me të. Po, Shehu nuk e ka biografinë e mirë: i ati i ka lyer duart me gjak të pafajshëm gjatë luftës e më vonë, ka bashkëpunuar me agjenturat e huaja dhe okupatorët, – nëse i besojmë shokut të tij më të ngushtë- e së fundi, a thua se kjo nuk mjafton- u shton listës së tij të gjatë të mëkateve të tij vrastare edhe atë të Judës apo Kirillovit – gjithmonë sipas kujtimeve të një ish Mesiu që mban edhe ofiqin e Pilatit me mbiemrin Hoxha nga Gjirokastra, bashkëudhëtarit të tij e shumë të tjerëve, mjaft hetues mes tyre e heronj të heshtur, që dëshmojnë, apo siç shkruhet sotit gazetave -rrëfejnë-, alibi të dyshimta; një tjetër gjirokastrit i mirënjohur, kandidat për çmimin Nobel, mik i birit në fjalë, shkruan një roman mbi hm… vetëvrasjen? e të ndjerit… por ky është realiteti e jo libri që kam në duar, që si për të shumështresuar edhe më lexuesin ushqehet pikërisht nga kjo problematikë. Autori tashmë e zotëron më së miri teknikën, që nuk ka të qortuar, ka një stil të tijin, që shpesh kulmon në skena mbresëlënëse, e nuk të lë të zhgënjyer pasi e ke mbaruar, ndoshta edhe disi me vullnet, librin. Duhet të shtoj këtu se ky i fundit është i vetmi që kam lexuar prej tij, hiq këtu disa intervista të tij në shtyp apo TV. Përmenda Kafkën më sipër, pasi, përveçse marrëdhëniet e vështira at e bir, që në rastin e Shehut janë ku e ku më tragjike, më shoqëroi gjatë leximit e njëjta ndjesi. Ndjehesh disi më mirë kur e ke mbaruar atë, se sa gjatë kohës që e lexon. Por Shehu ka një stil të tijin, disi të lodhshëm herë-herë, ndonëse patëmetë. Nuk pendohesh që e ke lexuar këtë roman dhe, më e rëndësishmja, ai të ngjall dëshirën për të lexuar më shumë nga ky autor edhe më, çka do të thotë se koha e investuar në të nuk është kohë e humbur. Ndonëse nuk jam njohës i mirë i peizazhit letrar shqiptar të pas 90‘, përjashtuar këtu, natyrisht, Kadarenë, do të merrja guximin të pohoja se ky roman mund të ishte një nga më të mirët e këtyre 20 vjetëve, por këtu shpresoj të gabohem, siç kushdo që i ka për zemër letrat shqipe.
2009

Lojë shëmbëllimesh

Prej „Mozart me vonesë“, lexim ky i para disa viteve e që më kish lënë një shije shumë të mirë- ndonëse ca të athët, por për stilin do të flas ca më poshtë – duhej të kisha nxënë tashmë se B. Shehu është, së pari, shkrimtar serioz, e është mirë t’i qasesh si lexues si një të tilli, një autori serioz pra, duke harruar sa më shumë të jetë e mundur atësinë e tij e, ca më shumë akoma, fatin e tij njerëzor shpesh më shumë se të rëndë. E kjo jo për të harruar të kaluarën, porse është mirë të kesh gjithnjë parasysh se rrëfyesi në letërsi nuk ka pse të jetë doemos autori, që autori nuk ka pse të jetë medoemos Bashkim Shehu e kështu me radhë. Gabim që i ndodhi edhe shkruesit të këtyre radhëve në faqet e para, qoftë prej përtacisë së tij, qoftë prej mungesës së besimit në letërsinë e mirë shqipe, qoftë edhe nga disa reçensa të lexuara në media për këtë roman, të cilat, pas leximit të këtij të fundit, më ngjajnë të cekëta e jo të ndershme; jo të ndershme sepse të cekëta. Pasi libri i Shehut është vërtet një anatomi e diktaturës dhe e së kaluarës së afërt, por jo vetëm kaq; madje do të thoja se totalitarizmi si i tillë luan rol dytësor në shtjellën e tij, diç’ si roli që luan një hije, kur ndriçohemi nga pas e të cilën e kujtojmë për shëmbëllimin tonë, kur e shohim kundruall, në mur. Po, Platoni. „Guva“ titullohet edhe një copë që ka shkruar kinse protagonisti kryesor Aleks Krasta, kinse rrëfyesi, kinse autori, kinse Bashkim Shehu, ndërkohë që protagonisti i vërtetë nuk është as ai vetë, as ngjarja që rrëfehet, por shëmbëllime, pandehma filozofike për njeriun, për drejtësinë, për besimin, për dashurinë, për jetën, për robërinë; me një fjalë përbërësit e shtysat e zakonshme të një romani të mirë, që ky i Shehut padyshim është. Përpos që muri i Platonit, ku shohim hijet tona është jo një, por disa pasqyra që i dërgojnë pamjet njëra-tjetrës e herë përputhen në atë çka na rrëfejnë për veten tonë, herë na e zmadhojnë imazhin e të tjera herë e zvogëlojnë atë deri në pafundësi. Sikur të mos mjaftonte kjo, figurat kryesore kanë edhe ato klonet e tyre, shëmbëllimet: Aleks Krasta rrëfyesin dhe anasjelltas, Fiora Evën/Linën, Patër Shtjefni disa priftërinj të tjerë, Luigj C., hetuesi, të tjerë hetues e njerëz po aq të ligj, për të ardhur në finalen e romanit, kur vetë i përndjekuri merr si në një dramë emrin e një tjetri, emrin e përndjekësit, veshur si një tjetër i përndjekur, por katharsis nuk ka, nuk ka se si të ketë, pasi publiku i vetëm i kësaj drame janë aktorët vetë. Dhe lexuesi, unë pra ( nuk bën sens të nisesh e të flasësh në emër të një lexuesi amorf, diku atje jashtë, si alibi për përjetimet e tua personale, ndaj këto shënime janë veçse subjektive, janë krenarisht të tilla…), duke mëtuar për të tjerët, mëtoj së pari për vetveten, pasi, në fund të fundit, ndonëse kjo është aksiomë pothuajse fetare, tjetri jam unë, ose, edhe më mirë akoma, unë jam një tjetër. Nuk është qasje e panjohur kjo; më bëhet ta kem hasur tek Philip Roth, p.sh., (The Counterlife, në mos gabohem), apo në filmin e njohur „Mulholland Drive“, ku personazhet ndërrojnë vendet, apo edhe në pjesën e njohur të Borhesit „Teologët“; merita e Shehut është se e sjell gjithë këtë në mënyrë tepër vetjake e në një kontekst shqiptar, i cili, për vetë veçoritë e gjuhës dhe diktaturës po aq specifike, të largon menjëherë tundimin për hequr paralele me vepra a autorë të tjerë. Dhe vërtet, gjatë leximit të krijohet bindja se edhe nëse të sjellin një libër pa kapakë e pa të dhëna të Shehut, qoftë edhe ndonjë fashikull të shkëputur nga mesi, do të jesh në gjendje ta dallosh se kush e ka shkruar. E këtu vijmë tek shkaku i kësaj pandehme: stili i Shehut. Ai i ngjan – gjithmonë mendimi subjektiv i shkruesit ky – një thurime, një gardhi, me të cilin autori ka rrethuar ngjarjen e tij. Më ndërmend gjithashtu mveshjen e famshme asokohe që Christo, artisti bullgar, i bëri Reichstag-ut para disa vitesh, deri edhe dallimin iluzor midis veshjes e zhveshjes. Është pothuajse e kotë të vrasësh mendjen nëse ndërtesa që veshi Christo është më e bukur me, apo pa veshjen e tij; kjo vlen edhe për një grua të bukur: veshja nuk është fort me rëndësi, por edhe pa të nuk i bëhet. I vetmi problem më ngjan të nisë e të ndodhë kur, në vend që të merremi me thelbin e lajthisë, na duhet të merremi me lëvozhgën që nuk e thyejmë dot për të mbërritur aty, ndaj nis e më ngjan e dyshimtë kur një autori i thuhet se ka krijuar tashmë „stilin“ e tij, që Shehu tashmë pa dyshim e ka krijuar, por shpesh m’u bë gjatë leximit se autori në vend që të dyshonte vetveten e të shihte të përtëritej ku të mundej, ndiehej mirë në „stilin“ e tij, sidomos në ca fjalë të caktuara si „asgjëmangut“ për shembull, fjalë me të cilën nisin plot 26 fjali; kjo më bëri të nis të dyshoj më së fundmi edhe „stilin“ e disa teprime të tjera të vogla, për të ardhur në një bindje të hershme timen, që stili më i mirë është mungesa totale e stilit, por pasi e ke patur një herë atë, stilin pra.
Megjithatë, në pjesën më të madhe të librit, ky i fundit është në funksion të së tërës e ca hemorragji të brendshme aty-këtu mund të kuroheshin lehtësisht gjatë një rishikimi të shkurtër që mund t’i bëhej romanit para një ribotimi, ta zemë. Dje a pardje qeshë tek okulisti; ulur në karrigen e tij, ndërkohë që ai fuste lentet me numër të ndryshëm e shkronjat që më duhej të shihja më bëheshin herë më të turbullta e herë më të kthjellëta, po shestoja me vete këtë punën e stilit, ngaqë s’kisha ç’bëja ndoshta e më duhej shpesh të prisja derisa të gjendej lentja tjetër. „Po tani?“- më pyeste pastaj okulisti e erdhi një pikë që nuk po dija as vetë në po shihja qartë, a po shihja turbull. Këtë më ndërmendi edhe stili i Shehut. Ka pjesë në libër, si ëndrrat e Aleks Krastës, qasjet e tij metafizike për në „guvë“, pjesa e kuvendit françeskan dhe e marrjes në pyetje të Fra Shtjefnit dhe sidomos disa faqe me Lalën e marrë në internim që kanë tjetër stil; kjo e fundit, që për mua qe edhe skena më e fuqishme në libër, nuk kishte „stil“ fare, në kuptimin që unë si lexues e harroj atë, stilin pra, „nuk e shoh“, siç i harroj qelqet e një syzeje të mirë kur shoh kthjellët me të. Nga ana tjetër, këto ditë, nisur nga lajmi i shitjes së një pikture të tij, kam shestuar gjithashtu edhe për një periudhë „të vagullt, „të fshirë“ të një piktori shumë të njohur gjerman, Gerhard Richter, ku subjekti bëhet i tillë, i vagullt pra, qëllimisht, duke ia përzier me njëri-tjetrën konturet një pikture akoma të patharë. Mos vallë Shehu ka bërë të njëjtën gjë qëllimisht me „stilin“ e tij, për të përforcuar edhe më efektin e hijeve, të shëmbëlltyrave që përshkruam në krye të këtij shkrimi? Ka shumë të ngjarë, nisur nga mbresa fundore me të cilën e lëshon këtë libër nga duart e që është se autori i ka paraprirë gjithnjë dy hapa më parë lexuesit në përjetimet e tij e se edhe kjo është pjesë e lojës, por jo të shëmbjes së qiellit për lexuesin, që duhej ta priste diçka të tillë. Nuk u ndala qëllimisht në çështje të përfolura keq gjithkund e deri ditën e sodit e që janë edhe ato një temë kryesore në roman: e drejta e nëpërkëmbur e viktimave, diktatura, kujtesa, harrimi, besimi etj. Secila prej tyre do të kërkonte një shkrim më vete, pasi libri i Shehut është një tren që shkon në më shumë se katër a pesë shina njëherësh. Mirëpo shumë është keqtrajtuar letërsia që bën Shehu në veç një dimension të saj, më shumë se ç’duhet është reduktuar ajo në veç një përmasë, në atë të “dossier”-ëve të së përditshmeve populistë, në përpunimin e së kaluarës; është përftuar më shumë se ç’duhet si “burgologji”, përmasë të cilën vepra e tij vërtet e ka, por që jo vetëm atë; është pothuajse e pandershme, e pandershme sepse e cekët, ta trajtosh Shehun veç si ish-të përndjekur e veprën e tij si kujtime burgu. Desha vetëm që në mbresat e mia ta përfillja Shehun ashtu siç vërtet mendoj se duhet t’i ndodhë: si një shkrimtar shqiptar nga më të rëndësishmit e kohës tonë e mëtues me të drejtë i qytetarisë së botës së letrave europiane. Libri i Shehut nuk është aspak më i dobët se disa libra të Fatos të Kongolit si „Lëkura e qenit“, apo „Kufoma“; është madje ku e ku më elegant se ato – mendim subjektiv edhe ky – e si i tillë duhej marrë ku e ku më seriozisht se ç’ka ndodhur derimë tani me veprën e tij.
Që jua rekomandojmë!
2013

Glosar për fjalorin udhëzues të B. Shehut

Insert
Lajmi i fundit (derimë tani) nga Fronti i Hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit qe romani i fundit i Bashkim Shehut „Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve“. E reja që ai përçoi qe një kumt filozofiko-letrar që kish të bënte me asgjënë dhe pafundësinë, me hiçin filozofik, me labirinte metafizike e me shpirtra, dhe kësisoj, më shumë se lajm, ai qe një kundërlajm, mirëpo media jonë e kujtoi për të tillë, për lajm pra, dhe e përcolli si të tillë dhe kjo përmbante goxha humor brenda, nga ai i ziu, konfuzi, i çakërdisuri, siç është edhe ajo vetë, tagjia për Rosinantët tanë të babëzitur për sensacione e bombastikë, por të cilëve aq u bën për skolastikë e, aq më pak akoma, për letërsi të mirëfilltë. Asgjë e re pra nga Fronti i Dosjeve dhe Shehu është shkrimtar që jeton në Barcelonë; ndërsa dosjet e Sigurimit hapen në Parlament, ndanë shëtitores „Dëshmorët e Kombit“ a mbahen mbyllur po aty; banorët e tij i hapin a i mbajnë mbyllur ato, mediatikë të dashur, e jo Shehu a shkruesi i këtyre radhëve. Kaq pra për dosjet e Sigurimit; tani e tutje do të bëhet fjalë për misterin e dosjeve të Shehut, të cilat nuk janë të kësaj bote. Edhe ç’vijon pak ka të bëjë me ish-spiunët, me Enver Hoxhën, me Bllokun, me ish-Sigurimin e kështu me radhë. Dossierët gjenden ca faqe më tutje në këtë gazetë a shumë klike njëherësh në rrjet. Ndërkohë që ç’më sipër nuk është pjesë e shkrimit për librin e Shehut; është përjashtimi nga rregulli letrar.
Glosar
Shkrimi që vijon fare mirë mund të ish qëmtuar ç’prej librit për të cilin mëton të bëjë fjalë. Pasi „romani“ i ri i Bashkim Shehut, që më shumë se i tillë, roman pra a fjalor siç titullohet, është diç si enciklopedi idesh dhe arketipesh që derivojnë të tjera syresh, në njërin kah drejt pafundësisë; në tjetrin, në mos drejt hiçgjësë, së paku drejt elementëve me të cilët, sipas grekëve të vjetër e jo vetëm atyre, është krijuar gjithçka: zjarrit, ujit, dheut dhe ajrit.
Hindutë, në shkrimet e tyre të vjetra, u shtojnë atyre gjithashtu edhe një të pestë: eterin, i cili i korrespondon shpirtit a vetëdijes, çfarëdo qoftë ky a ajo, e ky është, në fund të fundit, edhe misteri i dosjeve në librin e Bashkim Shehut.
Për ta thjeshtëzuar ca këtë më sipër, por edhe çka më poshtë, le të marrim një shembull të dobët: merrni një fletë letër e shkruani diçka mbi të, rrokjen OM a ndonjë simbol tjetër ndoshta, a mos shkruani asgjë mbi të, dhe kopjojeni n-herë, ku n është baraz me pafundësinë në fotokopjuesin atypari.
Varësisht nga sasia e karbonit në kartushë, kopjet do të vijnë ose duke u bërë më të errëta, deri në të zezë, nëse sasia e karbonit nis e shtohet, ose duke u zbehur, nëse sasia e tij në kartushë vjen e pakësohet. Nëse nuk keni bërë kujdes ta vini origjinalin mënjanë, por e keni shkartisur atë me kopjet e përftuara, si letrat e bixhozit para një loje të re, do ta keni thuajse të pamundur ta gjeni sërish atë, origjinalin pra; aq më të pamundur do e keni për ta gjetur atë po patët harruar nëse keni shkruar a nuk keni shkruar diçka mbi fletë; edhe më shumë akoma kur nuk e dini se kush ka shkruar a mos shkruar mbi fletë, siç edhe do e humbisni fillin përfare nëse nuk e dini se cili paskësh shkruar a jo mbi fletë, se kush i paskësh shumëfishuar ato, dhe përballeni në një kohë më të vonë me n-kopjet që e përmbajnë origjinalin, hiçasgjënë ndoshta, në pafundësinë e tyre, porse që nuk mund të gjendet më.
Mirësevini në botën e „Fjalori…“-t të Shehut. Keni hyrë tashmë në një iluzon të madh, marramendës, por që është edhe ai një nga kopjet, shëmbëllimet e një iluzioni edhe më të madh se ai vetë, a e shumë të tillëve, botës ku jetojmë, gjithësisë. Në hinduizëm e budizëm ky iluzion quhet maya.
Përmendim hinduizmin ngase nuk përfshihet në tekstin e Shehut, por mund t’i shtohej gjithashtu atij si zë më vete e pa e dëmtuar pjesën tjetër – siç edhe çdo koncept tjetër çfarëdo, pasi ai, shkrimi, libri (romani nuk po na vjen ta quajmë) është tekst i hapur dhe i ndryshueshëm: mund t’i hiqen zëra e mund t’i shtohen po ashtu të tjerë pafund – ngaqë modeli, ideja e librit në botën e ideve absolute, objektive, të Platonit, por edhe ideve subjektive në të tjera rryma filozofike a shkencore, modeli pra, kopja e së cilit, shëmbëllimi i së cilit ky shkrim, ky tekst, ky libër mëton të jetë, nuk është as më pak e as më shumë se Libri Total, qoftë a mos qoftë ai gjëkundi, por që na rrethon sidoqoftë në një shëmbëllim të tij të materializuar e që është bota që na rrethon, gjithësia e, jo së fundmi, në shëmbëllimin që qenkëmi vetë ne, çfarëdo qoftë qenia a shpirti ynë.
Në Librin e Jetës, koncept abstrakt ky i shumë besimeve fetare, shkruhet diku, prej dikujt, bëmat e gjithkujt në këtë botë e në të tjera; në Librin Total, zgjerim ky i Librit të Jetës me dimensionet e mundësive të pandodhura, me përmasat e mënyrës lidhore, kushtore, por ndoshta edhe dëshirore, i bie kështu të shkruhet jo vetëm ajo që është, por edhe ajo që mund të qe, siç edhe ajo që nuk është. Për njerëzit kjo do të nënkuptonte librin, dosjet, arkivin, ku shkruhen jo vetëm bëmat e tyre, por edhe çka mund të kishin bërë, deri edhe çka nuk kanë bërë e, së fundmi, çka edhe nuk mund të bënin edhe po të donin. Po ta përcaktonim shpirtin, vetëdijen, qenien njerëzore, Atman-in hinduist, jo vetëm në ontologjinë e tij si të tillë, pra për atë çka është, por edhe në çka mund të qe, ka qenë e do të ishte e kështu me radhë, pra në të gjitha kohët e mënyrat e mundshme që ofron gjuha, ky kafaz gjuhësor, i shkruar a jo, do të ngërthente përcaktimisht frymën, shpirtin, vetëdijen e njeriut, e cila do të kishte, në fund të fundit, atributet e frymës, qenies dhe të vetëdijes së Origjinalit, prej nga u kopjua, të Hyjit, Zotit a Qoftëlargut, varësisht nga aksioma që kemi zgjedhur për të ngërthyer atë. A nuk i fryn Zoti argjilës nga fryma e tij për të krijuar Adamin, frymën njerëzore? A nuk shkruhet po aty: „Ne ju krijuam sipas shembullit tonë“?
Rrjedhimisht, çdo ndryshim që ndodh a i ndodh shkrimit fillestar, qenies, shpirtit të ngërthyer aty, në arkivë, dosje a libër qoftë, ka pasoja të drejtpërdrejta për njerëzit dhe gjallimin e tyre në botë, derivate këto kështu të fundit të shkrimit a fjalës, pasi „Në fillim (paskësh qenë – shën. i shkruesit) ishte fjala“. Gjithkush e njeh shprehjen: kështu është e shkruar, ose ashtu qenkësh e shkruar… e cila nënkupton shkrimin e gjithçkaje në ndonjë libër të shenjtë, skicë që Krijuesi i paskësh bërë gjithësisë dhe banorëve të saj para se ato të krijoheshin, diç si planet që bën një arkitekt para se të ndërtohet një ngrehinë. Sikur të supozojmë se në atë libër, apo arkiv, apo arkiva, të cilat në fund të fundit janë esenca prej nga përftohen botët, njerëzit e çdo qenie, natyrore a mbinatyrore, siç tretësirat e parfumeve përftohen prej esencash, atëherë mund të arrihet në përfundimin se ato, bota dhe njerëzit pra, janë kopje, shëmbëllime, reale a jo, të shkrimit që u ka paraprirë, të cilit i ka paraprirë po ashtu diçka, një ide ndoshta.
Mirëpo kjo do të qe një shëmbëlltyrë e jona, e kopjeve pra, për Krijuesin, i cili i bie kështu të paskësh patur ide e kështu me radhë, e mu këtu mendimi nis e stepet, pasi ndodh singulariteti i tij, Big-Bang-u, urdhëresa e katërt e hebrenjve: „Mos bëj gdhëndje ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet lart në qiej ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë!“. Nëse Krijuesi, Arkitekti i Madh gjithashtu, për një trill a shkaqe relativiste sipas Ajnshtajnit, jo vetëm nuk e ka mbaruar planin e tij, por e korrigjon atë dita-ditës, heq e shton aty, fshin diçka e mëton diçka tjetër, ndërkohë që kopjet janë jetërzuar ndërkaq, diç si një arkitekt që ndërmerr ndryshime në plan gjatë kohës së ndërtimit, ndërkohë që ngrehina banohet, prish diku e shton diku tjetër, me një fjalë, nëse Krijuesi nuk ka mbaruar punë për një javë, por vazhdon të punojë ndërkaq dhe bota nuk është mbaruar – që do të nënkuptonte kjo, mes të tjerash, edhe Perëndinë e ligë të gnostikëve, por edhe ndoshta ndonjë Zot dialektik që vjen e bëhet gjithë e më zoti, gjithë duke punuar mbi veprën e tij – e gjitha kjo më sipër bëhet jo vetëm e koklavitur, por e pamundur për t’u zhbiriluar.
Ky do të qe edhe labirinti i përsosur, labirinti pa hyrje e pa dalje, ku lindesh brenda e vdes po aty, shto këtu edhe pandehmën që ke ardhur në këtë jetë nga një mesore e tij e mbase përfundon kur del prej këtij bigëzimi i vdekur po në ndonjë mesore tjetër. Le të shtojmë këtu, si për ta bërë këtë më sipër edhe më të koklavitur, më të nyjëzuar, më të degëzuar, që ndoshta Krijuesi nuk është Një, por shumë të tillë, diç si në hinduizëm ku gëlojnë as më pak e as më shumë se rreth 300.000 zota (numri i dikurshëm i banorëve të Tiranës), e të hedhim në këtë kazan alkimist edhe hipotezën tjetër që Krijues të vërtetë ndoshta nuk ka fare, – nëse bota është e pakrijuar e asgjë nuk lind nga hiçi. (A nuk përmban rreshti i dytë i Biblës përpos shpirtit të Zotit edhe ujin?) – por veç Shndërrues, e u vemë këtyre më sipër përkundër qiellin e dheun si dy pasqyra, edhe ato të përkundërta. Le të hedhim tash edhe hapin e fundit drejt pafundësisë, elikzirin në kazanin tonë: le t’ia lyejmë a lëmojmë kthinat labirintit më sipër deri në pasqyrim jo vetëm të vetvetes, por edhe të humburve nëpër të e të cilët nuk po dinë më se cilët e çka janë, kipcat a shëmbëllimet e tyre, cilët e çka qenkëshin prej tyre dhe ç’qenkësh e shkruar për to, aq më tepër kur nisin e shkruajnë edhe vetë si disa figura të librit të Shehut.
Labirinti i përsosur është në të njëjtën kohë edhe ferri i përsosur, i pasosuri. Humbja e fillit është po aq e përsosur. Por fillin e kanë humbur vetë Minotaurët, të humburit e këtij labirinti, që janë ata vetë dhe të tjerët përreth; po ata vetë janë njëkohësisht edhe burgu i tyre. Ferri nuk janë vetëm të tjerët, porse edhe ti vetë; ti, bashkë me të tjerë, ju keni ndërtuar nga brenda labirintin ku gjendeni e tash ju duhet të dergjeni atje për kohë të pacaktuara. Si mund të dilet që atje? E vetmja mundësi mbetet hapja e Librit ku qenkësh shkruar, kemi, ke shkruar vetë ti shpirtin tënd e fatin tënd e bashkë me të, fatin e shëmbëllimeve të tua, fatin e të tjerëve. E kjo nuk është thjesht hapja e dosjeve, por shkrimi siç duhet i tyre, i shpirtrave, i vetëdijes tonë me fjalë të tjera, me liri tjetër, ndoshta të pafjalë. Pasi ndryshimi i vërtetë mund të ndodhë veç në vetëdijen tonë. Pasi dosjet tona, Bibla jonë e treçerek shekullit të fundit, Libri ynë i Jetës, qenkëshin shpirtrat tanë e ata i paskëshim shkruar nëpër dosje Sigurimi, me burg, me spiunllëk, me dekë, me mort, me mungesë lirie, me lëndë labirintesh. Që është veç deri diku ajo lëndë që Shekspiri pati shkruar tek „Shtrëngata“, lëndë ëndrrash pra; është veç lëndë ëndrrash të liga, lëndë makthesh, ëndrrash të para ligsht me sytë hapur në librin e Shehut.
Kopjet e këqija të pandehmës gnostike (sepse besimet janë të tilla: pandehma – shën. i shkruesit) janë gjendur gjithnjë me shumicë në historinë e njerëzimit, kur në majë të strukturave hierarkike, totalitare a diktatoriale është gjendur dikush që luan rolin e Perëndisë, rolin e epërm të shëmbëllimit, kopjes së saj mbi dhé apo të ndërmjetësit, Udhëheqësit për tek e vërteta e fundme, qoftë si shëmbëllim i Hyjit (faraonët), qoftë në formën e pushtetit të dhënë prej sipër, të trashëguar apo të mbështetur në besime fetare a tradicionale (mbretër, papë, profetë të rremë, tiranë, perandorë, diktatorë etj.); qoftë si ideologji të skajshme diktaturash komuniste apo fashisto-naziste, bie fjala, të cilat mëtojnë edhe ato të zenë vendin e Librit të Librave, Librit Total, siç tek ne p.sh. në të kaluarën jo aq të largët, në Shqipërinë hoxhiste. Por nuk po duam të ndalemi këtu, as tek Sigurimi i Shtetit asokohe, sepse në labirintin e Shehut ky bigëzim është i papërfillshëm, ndonëse në dukje ngjarjet ndodhin aty.
Është e pamundur që një shkrim si ky të ngërthejë të gjithë përftimet e spektrit që përshkruam përciptas më sipër, aq më shumë kur figurat, kopjet, shëmbëllimet, udhëheqësit, pasardhësit dhe Blloku, kanë edhe ato kipcet e tyre, ëndërrojnë po ashtu në në këtë ëndërr të keqe që është edhe fall njëherësh, kapërthehen e shkërbehen me njëra-tjetrën duke shkruar kështu edhe ata fatin, shpirtin e tyre e të tjerëve.
Na duhet vetiu pra të kufizohemi e të flasim për vendin që zë libri i Shehut në letrat tona e më gjerë, autor i cili, në hierarkinë e shkruesit të këtyre radhëve, me këtë „roman“ e ka katapultuar veten dhe veprën e tij në majat e saj.
Do të kish mjaftuar vetëm zëri „Labirinti kozmik“ me nëndegëzimet e tij për vlerësimin më lart. Naun Gjika është sivëlla i shumë kundërheronjve botërisht të njohur: i Çiçikovit të „Shpirtra të vdekur“ të Gogolit, i Herr K. të „Proçesi“ të Kafkës, i Zotit Murke të Bëlit, për të përmendur vetëm disa, e sa e sa të tjerëve; në letrat tona ai është sivëllai i Mark Alemit, të nëpunësit të „Pallati i Ëndrrave“ të Kadaresë, por duke mos qenë njëherësh asnjëri nga këta, pasi ferri i Bashkim Shehut është një tjetër, ai vetë është Krijuesi i labirintit të tij që shndërrohet pa pushim, Dedalusi i Minotaurëve të tij, të cilët e kanë shtënë njeriun Bashkim Shehu në burgun e tyre, e të cilëve autori Shehu u vë kundruall pasqyrën sferike të gjithësisë, përjetësinë, pafundësinë, agnosticizmin e tij, mëdyshjen, duke i lënë kështu vetëm për vetëm me të, me pasqyrën e pafund pra, pasi letërsia mund të jetë e është këtu mes të tjerash edhe shpagim, larje hesapesh, hapje dosjesh, drejtësi e munguar në botën tjetër, në botën ku gjallojmë, në labirintin kozmik.
Gjenden aty edhe referenca të drejtpërdrejta të Borhesit, të specializuarit, si të thuash, në ndërtimin e labirinteve, por ndërsa tek ky i fundit labirint është deri dhe shkretëtira, Shehu shkon edhe një hap më tutje dhe e bën labirintin e tij të padukshëm, duke përdorur si lëndë të parë në mos hiçasgjënë, një material të papërcaktuar, një materie të errët: padijen që është njëkohësisht edhe padi. Për shijen e shkruesit të këtyre rreshtave kjo është gjeniale.
Letërsia e mirë ka qenë gjithnjë topografi e zgjeruar e botës tonë me atë që është e nuk është ajo, për të ndërtuar një botë tjetër paralele, më të vërtetë e më përfshirëse se ajo. Duke qenë se kësaj ku gjallojmë i mungojnë dukshëm përmasat shpirtërore të parajsës, por i ka me tepricë ato të purgatorit, në mos të skëterrës, shkrimtarët, duke shkruar në Librin Total fletët e tyre, dosjet e tyre e të shoqërisë, duke ngërthyer aty më së shumti shpirtin e njeriut, shpirtin e botës pra, vetëdijen e saj, kanë projektuar kështu botën tjetër, e meqënëse parajsa nuk ofron konflikt, i domosdoshëm ky për të shkruar (pasi në Parajsë nuk ka pse shkruhet asgjë), kanë ngritur kështu më së shumti ngrehina purgatoresh e ferresh nga më madhështoret. Labirinti i Shehut është një prej tyre dhe ai është fort mbresëlënës, pasi ndërtohet me lëndë të parrokshme dot nga mendja: me frymë të liga a jo njerëzish e hyjnish, për të cilat nuk mund të thuhet asgjë, me pafundësi, me asgjënë vetë të përfshirë aty, dhe, siç e thamë, me padi-je. Mund ta marrësh këtë libër e ta vendosësh pa drojë në çdo raft librarie europiane a amerikane e ai do u rrijë mirë sivëllezërve të tij, do e përfaqësojë më së miri letërsinë e re shqipe, autor nga më të spikaturit i së cilës Shehu padyshim është.
Nuk është zbavitje leximi i librave të tij; ai i ngjan më shumë një kalamendjeje në një karusel gjigant, në një sferë a elips pasqyrë me ameba shpirtrash në mes, nga ku zbret, pasi e ke mbaruar jo pa vullnet e duke e bërë zemrën gur „romanin“, me marrje mendsh e nuk ndiehesh fort mirë, pasi, më shumë se i tillë, roman pra, ky tekst është përzierje zhanresh ç’prej filozofisë, ezoterikës, përsiatjeve, esesë e deri tek fiksioni, letërsia pra. Përvoja e vërtetë e leximit, shija e tij e vërtetë, të vjen vetëm pasi e ke mbaruar së lexuari e ca kohë më pas, siç rakia e mirë që të ngroh gjoksin e të përçon shijen e saj veç pasi e ke shpënë në fund. Dhe kjo e Shehut është vërtet pije e fortë, lexim i vështirë e që nuk e mban gjithkush.
Aq më pak media tejet sipërfaqësore dhe e ngutur e Mëmëdheut që e përcolli promovimin dhe leximin e tij siç është edhe vetë: në mënyrën më primitive, më provinciale, më pasdiktatoriale e tranzicionale të mundshme, duke e trajtuar letërsinë, romanin e Shehut në këtë rast, siç bën rëndom, si lajm, si politikë, si fast food për konsumuesin e babëzisë së asaj vetë. Por edhe kjo, pritja që iu bë „Fjalori…“-t, gjendet paraprakisht po aty, është e shkruar në librin e tij.
Shpresojmë që edhe ky shkrim që, siç thamë, mund të qe fare mirë një zë në „Fjalori..“-n e Shehut, të ketë ndikim, në mos në fatin dhe shpirtrat e banorëve të labirintit nën qiell të hapur, siç mund ta ketë shkrimi i autorit për t’i çliruar ata ç’prej aty, të ketë ndikim pra në leximin e kuptimin e origjinalit të tij, shëmbëllim i të cilit ai është, i „Fjalor(it) udhëzues për misterin e dosjeve“, libër që rrjedhimisht nuk kemi se si të mos e rekomandojmë fort…

www.revistasaras.al

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Kulturë

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar