Dritëro Agolli dhe arbëreshët: kujtim i një takimi të largët tre dhjetëvjeçarë

Dritëro Agolli dhe arbëreshët: kujtim i një takimi të largët tre dhjetëvjeçarë
Loading...

Nga prof. Matteo Mandalá, Universiteti i Palermos, Itali

Dritero AgolliIshte viti 1988, pikërisht 30 gusht 1988. Po afrohej 500- vjetori i themelimit të Horës së Arbëreshëve (italisht Piana degli Albanesi), bashkia ku kam lindur unë. Për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike qenë organizuar nisma që do të mbeteshin të paharrueshme për arbëreshët: një festë popullore në të cilën morën pjesë grupe folkloristike të ardhura nga të gjitha arealet shqipfolëse të Italisë dhe nga Ballkani, ekspozita pikture, një konferencë ndërkombëtare në të cilën referuan albanologë të ardhur nga vende të ndryshme të botës: nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Europa. Sigurisht nuk munguan edhe përfaqësimet e qendrave kërkimore shqiptare, midis të cilave dalloheshin ato të Universitetit të Tiranës e të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si edhe delegacioni i rëndësishëm dhe prestigjioz i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ky i fundit ishte i kryesuar nga një intelektual i shquar, emri i të cilit ishte tashmë mjaft i njohur për shumë nga të rinjtë arbëreshë që i ishin qasur letërsisë shqiptare dhe që zienin nga mendimi se, së afërmi, do ta takonin. Emocione të forta, por edhe drojë e madhe përballë një autoriteti të padiskutueshëm e një personaliteti të shquar sikundër ishte ai i Dritëro Agollit. Së paku këto ishin ndjenjat që unë vetë provoja, duke konsideruar se nuk kisha pasur kënaqësinë për ta takuar personalisht autorin e veprave aq të famshme, disa nga më të arrirat e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ndër organizatorët zotëronte ankthi i pritjes së ditës në të cilën, më në fund, do të takoheshim me këto personalitete. Për arbëreshët, që në atë përvjetor të rëndësishëm ia kishin dalë t’i bashkonin shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Greqisë dhe albanologë të shquar si amerikani Eric Pratt Hamp ose sovjetikja Agnija Desnitskaja, ishte një sukses me domethënie të madhe simbolike, ishte gati si një njoftim i asaj që pak vite më vonë do të ndodhte pashmangshëm me rënien e perdes së hekurt.

Sot, në largësinë e gati 31 viteve, merita e asaj ngjarjeje madhore historike është për t’u shënuar nga organizatorët, po edhe për të gjithë veprimtarët shqiptarë që dëshmonin një pjekuri të plotë dhe solide kombëtare në mbështetje të çështjes së përbashkët albanologjike.

Fjalimi përurues i Dritëro Agollit qe shumë i efektshëm. Jo rastësisht qe shoqëruar me duartrokitje të përsëritura dhe nga manifestime të konsensusit. Zgjoi reagime veçanërisht pozitive një nga konsideratat e gjata të tij në të cilën ngërthente me vizionin jashtëzakonisht të kthjellët e largpamës karakterin dallues të atij fenomeni sociologjik e kulturor që, pak më shumë se një dhjetëvjeçar më parë, Pier Paolo Pasolini e kishte përkufizuar “mrekullia antropologjike e arbëreshëve”. Pohonte Agolli:

Arbëreshët janë bijtë tanë, nëse marrim parasysh faktin se nënë e tyre e lashtë është Shqipëria. Në të njëjtin kohë ata, për sa u përket zakoneve, riteve, trashëgimisë kulturore e materiale dhe gjuhës, janë edhe pararendësit tanë, sepse na japin mundësinë të njohim mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Shqipërinë e shekullit XV, d.m.th. fëmijërinë tonë. Kjo nuk do të thotë aspak se ne do të jemi të prirur ta konsiderojmë Horën si një specie të muzeut ku të zhvillohen kërkime mbi gjuhën dhe zakonet, ku të shkojmë për të kërkuar fosile të qytetërimit tonë. Përkundrazi, ne urojmë ta shohim Pianën në lulëzim të përhershëm, në një zhvillim ekonomik e kulturor në gjirin e shoqërisë italiane, për të ruajtur identitetin e vet, pa zgjedhur izolimin. Kultura europiane, sikundër pohon një shkrimtar i njohur, është Promete, Faust e Sizif njëkohësisht. Por unë shtoj: të jetosh në mesin e saj do të thotë të dish edhe të mbrohesh për të mos u asimiluar, po edhe për t’u pasuruar e për të mos u vjetruar.

Të jesh, njëkohësisht, bij dhe etër (pararendës) nuk është ndoshta sekret i madh i mrekullisë që njeriu trashëgon qysh nga çasti kur lind? A nuk është në misionin e jetës së atij që ka lindur, të krijojë nga ana e vet? E përse faktet kulturore dhe proceset që fatalisht ndërlidhen nuk mund të konsiderohen në këtë optikë ? Raporti ndërmjet arbëreshëve dhe shqiptarëve në këtë kalim të shpejtë e të guximshëm spekulativ të Agollit përmbante ngjyresa inovative, i flakte stereotipet e vjetra dhe fuste në veprim kategori njohëse à la page. Para të gjithave ajo që i lejonte për të vlerësuar tezën e disa shkollave sociologjike të përparuara dhe që kishte paraparë tashmë identitetin e “dyfishtë” që e karakterizon ab ovo kulturën arbëreshe: nga njëra anë, të lidhur e të rrënjosur në “traditën” që ia ushqente shpirtin dhe, nga ana tjetër, kryeneçësisht të projektuar në dimensionin europian që e mvishte me një dozë të duhur moderniteti. Në këtë binom, vetëm në pamje të jashtme të ndërtuar rreth një paradoksi, bashkëjetonin të dyja qëndrimet kryesore ideologjike të arbëreshëve, ruajtja e trashëgimisë atavike (gjuha, riti, traditat antropologjike) dhe pasurimi i tyre nëpërmjet një “të përshëndeturi” të kontaminuar me prirjet më të përparuara të kulturës europiane. Ja përse Agolli e ndien të nevojshme të pohojë se «fenomeni historik arbëresh është ndër më mbresëlënësit» dhe ja përse në vlerësimin e tij mendjehollë u njeh bijve dhe e etërve të tij meritën e madhe se kanë ditur të shkrijnë në një horizont të vetëm dy kauza të kundërta, por konvergjente, që mund ta asgjësonin atë bashkësi: asimilimin, nga njëra anë, dhe izolimin, nga tjetra.

Kjo paradigmë i, që antropologë, sociologë, gjuhëtarë dhe historianë të shquar u përpoqën ta ilustrojnë pikërisht në këtë kungë shkencore, qe gdhendur në përfytyrimin e dëgjuesve qysh nga hapja e kongresit nga fjalët e thjeshta dhe të gdhendura të një shkrimtari që diti në atë mënyrë të hakmerrej simbolikisht ndaj epërsisë intuitive që letërsia ushtron mbi të ashtuquajturat shkenca sociale. Nuk munguan mbështetësit dhe përkrahësit e njëzëshëm të diskutimit që Agolli shqiptoi, jo pa e errësuar emfazën që gjithmonë i karakterizon performancat publike e që në atë rast prodhoi një amplifikim të mëtejshëm dhe të jashtëzakonshëm të entuziazmit të njëzëshëm të të pranishmëve.

Konferenca u zhvillua sipas programit; rezultatet e arritura, të dokumentuara në dy vëllime të akteve të botuara në vitin pasues, qenë me të vërtetë me peshë, sikundër shpesh më bie rasti të konstatoj nga numri i lartë i citimeve që shtrihen në mjedise të ndryshme të literaturës shkencore, letrare-filologjike, gjuhësore, historike, sociologjike, antropologjike. Ajo që, përkundrazi, nuk gjendet e dokumentuar me të njëjtën lehtësi është ana jozyrtare e atyre ditëve të ngjeshura, të ashtuquajturat ngjarje “dytësore” e “anësore”, të cilat i çimentojnë lidhjet ndërpersonale, forcojnë lidhjet individuale dhe inkurajojnë me ngrohtësi lindjen e miqësive të reja, të çiltra e të frytshme. Kjo anë “ekscentrike”, megjithatë, është për fat e dëshmuar mirë nga kujtimet e pashlyeshme të mbrëmjeve të bukura të organizuara nga animatorët dashamirë arbëreshë, që të gjithë vlerësues të identitetit kulturor dhe instinktivisht të tërhequr nga simpatia që zgjonte prania e “vëllezërve shqiptarë”. Një simpati e vërtetë që, sidomos në atë fund historik të një diktature, ia dilte të lërë mënjanë distancat ideologjike, mospërkimet dhe moskuptimet dhe, përkundrazi, të ekzaltonte hallkat e përkatësisë në vlerat shpirtërore, në vlerat kulturore dhe në ndodhitë historike të përbashkëta e të pranueshme. Gjatë njërës prej atyre mbrëmjeve të paharrueshme, të kaluar tërësisht në një shtëpizë në zonat anësore të Horës, në të famshmen fushë, u zhvillua një debat me interes të jashtëzakonshëm midis gjuhëtarëve të pranishëm dhe Dritëro Agollit. Diskutohej për etimologji – pak a shumë shkencore – dhe për origjinën e fjalëve të dokumentuara në të folmet arbëreshe që i përkasin një ligjërimi specifik sektorial: atij të kulinarisë. Nuk mund të ishte ndryshe: duke shijuar salsiçen e pjekur, krejt të përshtatshme edhe për gojën e joarbëreshëve, ishte e pamënjanueshme të mos bëhej edhe pyetja tashmë rituale rreth emërtimit në gjuhën zanafillëse, dhe ishte e ditur që e bëri pikërisht Dritëro Agolli. Likënkë, qe përgjigjja që ushqeu monologun etimologjik shumë argëtues ose, më mirë, paraetimologjik rreth origjinës së kësaj fjale. Fantazia e shkrimtarit mori vrap pa ndalesë në të gjitha drejtimet, hetoi thellësitë e teksteve letrare, gërmoi ndër bimsat e pështjelluara të kulturës popullore, u mundua të ngjitet deri në majat më të epërme të gjuhësisë historike, pastaj në fund, i dërrmuar nga lodhja e mundimshme, mbërriti në një konkluzion të papritur dhe të brohoritur me gjithë forcën e zërit: “kjo fjalë i bashkon simbolikisht shqiptarët në një republikë të vetme virtuale”. Askush në atë çast nuk mund ta parashikonte aftësinë mbartëse të së vërtetës që përmbahej në atë frazë në dukje pak impenjative. Sot e dimë se likënkë dhe variantet e saj vendore kanë vizituar lirisht vende të largëta dhe gjuhë të ndryshme: fjala vjen nga latinishtja luganica (që thuhet edhe luganiga e lugànega), që shënon një lloj salsiçeje që, sipas Varronit, ishte një suxhuku tipik i Lukanëve, popull i lashtë i vendosur në Basilikatë, ku edhe sot gjëllin toponimi “Lucania”. Më vonë sendi dhe fjala u përhapën edhe në Ballkan, saktësisht në Greqi ku loukaniko (ose loukanika) qe futur nga Timachida (në greqisht Τιμαχίδας I-II shek p.k.) në librin e tij të recetave, duke u bërë edhe ajo një ushqim “kombëtar” grek, ndonëse duke pasur origjinë italike. Me të gjitha gjasat arbëreshët i njihnin fjalën dhe sendin që në Peloponez, dhe duke e prurë në Gadishullin italian, i dhanë sërish suxhukut të lashtë të derrit origjinën dhe identitetin e vet. Arbëreshët, për ta shënuar, kishin rindërtuar një “republikë virtuale” dhe likënkë ishte simboli i saj.

Intuita profetike e Agollit përsëritet gëzueshëm në ditët pasuese, derisa do të zgjidhej pyetja e fundit: çfarë emri i duhej dhënë republikës? Propozimi u ngrit nga një zë i mbetur anonim, por që qe pranuar njëzëshëm nga të gjithë: “republika e pirunit” ! Qysh nga ai çast lindte emri i një mjeti të vogël që ka modifikuar historinë e stilit të jetës europiane, një vend në imagjinatën kolektive të arbëreshëve, një vend që do të kishte qenë evokuar me gëzim e nderim në çdo rast kremtues, qoftë publik qoftë privat. Dhe emri i Dritëro Agollit do t’u transmetohej më të rinjve bashkë me njohjen e veprave të tij. Në vitet pasuese, në dhjetëvjeçarët pasues, Dritëroi nuk pati më rast për ta përsëritur atë udhëtim të parë midis miqve arbëreshë. Porse, ai zëri i tij i pakonfondueshëm, ajo dituri antike që vinte nga inkursionet e tij, ai theks kaq jashtëzakonisht “jugor” sikundër janë toskët, ata tinguj të pastër e të shkoqur me përpikmëri, kumbojnë ende në fushë. Në çastet kur përmallimi i kohës na bën më të brishtë, na vjen në mbështetje zhurma e erërave të dikurshme. Për këtë, dhe për artin e tij letrar të lartë e bujar, arbëreshët e Horës ia kushtojnë njëzëri homazhin e tyre Dritëro Agollit, duke i uruar:Edhe 100, more Arbëresh i dashur i Shqipërisë!

19 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Kulturë

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar