Feston Tirana, vjen humbja e parë për Skënderbeun

Feston Tirana, vjen humbja e parë për Skënderbeun
Loading...

TiranaTirana fitoi supersfidën e javës së 7-të të Kategorisë Superiore, duke thyer 2-1 Skënderbeun. Dueli, që i konfirmoi bardheblutë si të pamposhtur në këtë sezon dhe i shkaktoi disfatën e parë sezonale korçarëve, nuk i zhgënjeu pritshmërinë duke dhuruar spektakël dhe emocione deri në sekondat e fundit.

Për sfidën me 6-herë kampionët radhazi, te Tirana debutoi sulmuesi Cisse, ndërsa Gjergji Muzaka u kthye në formacionin titullar, pas golit vendimtar ndaj Korabit. Te Skënderbeu i Agostinelli-t, që nuk ka fituar asnjëherë në Selman Stërmasi, në mungesë të Sabien Lilajt, Nigama fitoi balotazhin me Orelesin në mesfushë, me të zakonshmit Fukui e Latifi nga krahët që u rreshtuan në mbështetje të dyshes sulmuese Salihi-Xhejms.

E ndërsa hyrja e tifozëve në stadium vazhdonte edhe pas startit të ndeshjes, sulmuesi nigerian krijoi momentin e parë të rrezikshëm të sfidës, me Fukuin që goditi vetëm rrjetën e jashtme, pa mundur të ndëshkojë ish-skuadrën e tij.

I menjëhershëm ishte reagimi i Tiranës, që mori kontrollin e lojës, deri në golin e avatazhit me Mervill në minutën e 14-të. Mesfushori 18-vjeçar nga Kongo që ka entuziazmuar kampin bardheblu, nuk gaboi pas topit të kthyer nga Cise, duke mposhtur kapitenin e Skënderbeut, Orges Shehi.

Dominimi i bardhebluve vazhdoi, me Cisse që në të 20-ën kishte një rast të shkëlqyer për të dyfishuar shifrat, por sulmuesi bëri gjithçka mirë deri në momentin e goditjes, ku nuk gjeti portën. Tirana vijoi ofensivën edhe me Moise, i shërbyer nga Mervill  për një paraqitje të vlerësuar nga tifozët bardheblu që ishin dukshëm të kënaqur nga paraqitja e ekipit.

Me Skënderbeun të pafuqishëm për të krijuar në fazën sulmuese, për të vënë në provë portierin Ilion Lika gjatë pjesës së parë të sfidës mendoi mbrojtësi Marko Radas me goditje standarde.  Paraqitja zhgënjyese e korçarëve në 45-minutat e para bëri që trajneri Agostinelli të aktivizonte Orelesin në mesfushë, por situata nuk ndryshoi. Menjëherë sapo nisi fraksioni i dytë i lojës, Tirana dyfishoi shifrat. Një gol i gjithi kongolez, ku Mervill shërbeu në mënyrë të shkëlqyer, ndërsa Moise shfaqi të gjithë klasin për të mposhtur për të dytën herë Shehin.

Në tentativën për të ndryshuar një ndeshje që nuk po shkonte sipas parashikimeve, te Skënderbeu u aktivizua edhe Serxhinjo , me korçarët që provuan të reagonin pikërisht me brazilianin, por dita negative u pasqyrua e gjitha te goditja e sulmuesit.  Vuajtjet e e sulmuesve të kampionëve u pasqyruan edhe në tentativat e Xhejms dhe Hamdi Salihit, me bomberin shkodran që në minutën e 73-të regjistroi tentativën e parë drejt portës kundërshtare, pa u koordinuar si duhet.

Por, me kualitetin e padiskutueshëm që zotëron në repartin e avancuar, Skënderbeu rihapi sfidën shtatë minuta përpara fundit të kohës së rregullt. Liridon Latifi shfrytëzoi topin e mbetur në zonë pas tentativës së Salihit, me mesfushorin e Kombëtares që nga pozicion i prirët nuk gaboi. Korçarët i’u afruan barazimit me Salihin, që në të 89-ën provoi me kokë, pa saktësinë e duhur. Në minutën e dytë shtesë, ishte e nevojshme mrekullia e portierit Ilion Lika, në tentativën e mbrojtësit Tefik Osmani.

Pas tij Hamdi Salihi pretendoi 11-metërsh për Skënderbeun, me gjyqtarin Jorgji që vazhdoi lojën megjithë pretendimet e miqve. (min 93) Me një mbyllje të lojës që i la bardheblutë pa frymë, duke rrezikuar të shpërdoronin një fitore në dukje të sigurt, Tirana ngjitet në kuotën e 13 pikëve dhe shkurtoi në 5 pikë diferencën nga Skënderbeu, duke evituar që gara për titull të përfundonte ende pa nisur mirë. Bardheblutë bën që kampionati të mbetet interesant. Për vete dhe për të gjithë pretendentët e tjerë në këtë sezon.

16 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Sport

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar