“Graali i Shenjtë” i punës për të ardhmen

“Graali i Shenjtë” i punës për të ardhmen
Loading...

Nga Keli Uell

Nju Jork – Të kuptosh të ardhmen e punës është diçka e vështirë, në mos e pamundur. Sipas Fondacionit Mekartur, 65 përqind e nxënësve të sotëm do të punësohen në punë që sot ende nuk ekzistojnë. Ndërsa teknologjia, globalizimi dhe shumë faktorë të tjerë vazhdojnë të ripërcaktojnë punën, do të nevojitet një konstante për aftësitë e buta, ose “aftësitë për jetën”.

Këshillimi online, brain-storming dhe bashkëpunimi janë të njohura për profesionistët që punojnë sot, por ne s’mund të supozojmë që ato vijnë natyrshëm, sidomos për miliona studentë që nuk kanë qasje në trajnimet e duhura dhe rrjetet këshillimore të planfikimit të karrierës. Në fakt, një hendek global në rritje i aftësive, sugjeron se shumë punëtorë të rinj të mbetur tashmë prapa.

Sipas Byrosë së Statistikave të Punës në SHBA, ekonomia amerikane ka 5.9 milionë vende të pune të sapohapura, ndërsa 7.8 milionë njerëz janë të papunë. Në Evropë, 5.6 milionë të rinj janë të papunë, ndërsa 2 milionë të tjerë nuk janë as pune dhe as në shkollë. Teksa të rinjtë në të gjithë botën shprehin padurimin e tyre për të hyrë në punë, shumë biznese thonë se ata mundohen jo pak për të gjetur kandidatët me kualifikimet e duhura për vendet e reja të punës.

Për shembull, një studim i kohëve të fundit në Afrikën Lindore, zbuloi se më shumë se 63 përqind e të diplomuarve të kohëve të fundit “u mungojnë aftësitë që kërkon tregu i punës”.

Ky hendek i aftësive është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Në Kinë, vlerësohet se kjo i kushton ekonomisë 250 miliardë dollarë në vit. Në SHBA, kostoja vjetore është 160 miliardë dollarë, me kompanitë që humbin 14 mijë dollarë për çdo vend pune të paplotësuar për më shumë se tre muaj, ndërkohë që tatimpaguesit përballojnë koston e sigurimit të papunësisë dhe programeve të tjera sociale.

Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi, hendeku i aftësive u kushton qeverive respektivisht 29 dhe 6 miliardë dollarë në vit. Kur vendet e punës mbeten të paplotësuara për një kohë të gjatë, ato ka më shumë gjasa që t’u shkojnë në mënyrë të përhershme tek vendet me krahun e lirë të punës ose një grupi njerëzish të talentuar dhe më të përshtatshëm. Kjo prirje po kërcënon tanimë ekonomitë tradicionalisht të qëndrueshme.

Sipas disa vlerësimeve, deri në vitin 2020 më shumë si 23 milionë punëtorë në vendet e zhvilluara, nuk do të kenë aftësitë e duhura për të punësuar në funksion të një karriere kuptimplotë. Ndërkohë, miti se aftësitë e buta janë të lindura – dhe se mund të mesohen vetëm aftësitë teknike – vazhdon të ushqejë hendekun e aftësive.

Në fakt, tipare në dukje abstrakte si aftësia e zgjidhjes së problemeve, etika e punës, dhe vetë-ndërgjegjësimi, mund të zhvillohen në mjedisin e duhur dhe me mjetet e duhura. Shumë studentë nuk mund të gjejnë më saktësi se cilat aftësi u mungojnë, por janë të vetëdijshëm se për pasojë nuk kanë besim tek vetja. Merrni në konsideratë rastin e Abit, një studente nga Bostoni që kishte vështirësi në jetën e saj në shtëpi, dhe besonte se nuk do të mund të qe kurrë e suksesshme. Seanca të thjeshta këshillimi nga College For Every Student (një organizatë jofitimprurëse e financuar nga Fondacioni GE), i mësoi aftësitë themelore dhe rriti besimin e saj, duke vënë në lëvizje një cikël virtuoz të zhvillimit personal.

Në fakt, hendeku i aftësive është edhe më i gjerë tek të rinjtë e familjeve me të ardhura të ulëta, të cilët në masë të madhe i humbasin mundësitë e arsimimit dhe punësimit. Vetëm 9 përqind e njerëzve të kësaj shtese të diskriminuar të popullatës kanë marrë një diplomë gjimnazi, ndërsa kjo e fundit është një parakusht për shumicën e vendeve të punës në ekonomitë e sotme.

Deri në vitin 2018, mbi 60 përqind e 47 milionë vendeve të punës në SHBA, do të kërkojnë një lloj të arsimit post-dytësor. Dhe në Evropë, më pak se 25 përqind e studentëve mendojnë se kanë marrë informacionin e mjaftueshëm mbi mundësitë e arsimit post-dytësor. Hendeku i aftësive dhe ai i mundësive shkojnë dorë për dore së bashku. Nëse nuk do të përmirësojmë qasjen tek arsimimi në nivel kolegji dhe trajnimin e aftësive për të bërë karriere për të rinjtë e të gjithë grupeve ekonomike, hendeku i aftësive vetëm sa do të zgjerohet, dhe pabarazia do të vazhdojë të përkeqësohet, me implikime të dukshme në stabilitetin social dhe politik.

Fatmirësisht, problemi mund të zgjidhet. Garantimi i shëndetit të ardhshëm ekonomik dhe stabilitetit në një epokë të ndryshimeve të papara, kërkon më së paku që ne të zgjerojmë qasjen ndaj trajnimit arsimor dhe aftësive për të gjithë pjesëmarrësit e fuqisë së ardhshme punëtore – dhe jo vetëm për disa të zgjedhur. Ciladoqoftë qasja që do të marrim, ajo duhet të jetë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse, duke siguruar që të rinjtë të mësojnë aftësitë e buta, për të cilat do të ketë nevojë në të gjithë skenarët e ardhshëm.

Duke synuar financime dhe një kuadër të përbashkët strategjik, qeveritë, edukatorët, dhe bizneset mund të mbyllin hendekun e aftësive si për brezin aktual të të rinjve, ashtu edhe për brezat e tjerë që do të vijnë. Të rinjtë e sotëm janë të ndryshëm, të zgjuar, dhe të vendosur për të trajtuar sfidat me të cilat do të përballet fuqia punëtore e së nesërmes. Institucione private dhe publike, kanë përgjegjësinë për të mësuar studentët e sotëm si të përgatiten për këto sfida.

Me strategjinë e duhur, ne mund të ndihmojmë miliona të rinj, për t’i siguruar një vend në ekonominë e shekullit XXI. Çdo student që zhvillon sot aftësitë e buta, mundet potencialisht të ndryshojë botën për mirë në dekadat që do të vijnë. Kjo do të jetë një e ardhme, nga e cila do të përfitojmë të gjithë.

www.bota.al / Botuar ekskluzivisht  nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Holy Grail of Future Work

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar