Ismail Kadare dhe Bob Dylan, ballë për ballë

Ismail Kadare dhe Bob Dylan, ballë për ballë
Loading...

Ballsor Hoxha

KadareKy shkrim i ka dy pjesë. Për shkaqe praktike, e kam ndarë këtë në pjesën për njerëzit e zakonshëm që janë zemëruar pse Kadare nuk e morri Nobelin. Dhe pjesa e dytë për njerëz që duan të dinë pak më shumë.

Pjesa e parë.
Jam ulur për të shkruar, aty ku gjithherë shkruaj. Pranë tavolinës sime janë edhe tre persona, pjatat me ushqim të përhapura në tavolinë, mbllaçitja, ekstaza e të ngrënit, tërë ajo festë ndërmjet këtyre tre personave, tërë ajo dashuri për ushqimin. E dini kur njeriu është i dhënë pas ushqimit, përpos nëse nuk vuan nga bulimia, kur e adhuron ushqimin, apo përhumbet në të ngrënë sikur të ishte në kontakt direkt me zotin, sikur ushqimi të ishte vetë perëndia, e vetmja dhe e plotfuqishmja.
Nuk ka kosovar dhe shqiptarë që nuk është zemëruar në Komitetin e Nobelit, e kuptoj, disa nga ne jemi në pesha të rënda të përvojës dhe kemi nevojë të shkarkojmë këtë në gëzime kolektive, por, por ata që kurrë një fjalë nuk e kanë kuptuar nga letërsia e gjuhës së tyre, ata çka kanë? Në të vërtetë, jam i sigurt, që po të njëjtit, sikur ta kuptonin letërsinë e Kadaresë do të ngriheshin mu kundër tij. Mu kundër letërsisë dhe mu kundër vetë vetëdijes së tyre të mbetur rob nën kënaqësinë e ushqimit.
Ushqimi dhe letërsia, këto dy kënaqësi janë krejtësisht të manipulueshme për shqiptarin, ende është shumë e freskët thënia e artë: unë shikoj opera sapuni, kjo është sikur të lexosh një novelë. Që do të thotë se kënaqësia e atypëratyshme, kënaqësia e bërë gati, si në tenxhere, e paketuar mu sikur ushqimi është ajo që zgjedhim ne. Që do të thotë se ne jemi njerëz të ushqimit (pra nuk është çudi epidemia e infarkteve dhe tensionit). Që do të thotë se ne nuk duam të mendojmë, as të krijojmë vet (pra nuk është çudi pse nuk jemi të ‘zhvilluar’). Që do të thotë se ne nuk jemi ende njerëz në plotëninë e potencialit njerëzor, jemi ende në stadin e të ngrënit. Kudo në Kosovë e Shqipëri është turp dhe marre të lexosh në publik, kudo në Kosovë dhe Shqipëri është turp të mendosh, kudo në Kosovë e Shqipëri, vërtetimi më i saktë popullor për të qenit i çmendur është të qenit vetëm diku në publik etj. Dhe pikërisht kjo është vërtetimi, nëse nuk gabohem, duke pasur parasysh se tërë letërsia e Kadaresë është ngjizur (së paku) në vetmi), se Kadare është njeri krejtësisht i çmendur. Për më shumë, vet letërsia e tij, në krahasim me rëndësinë dhe gjakimin tonë për ushqim, janë dëshmi e çmendurisë së Kadaresë.

Pjesa e dytë

Vitet gjashtëdhjetë, pikërisht koha kur Salman Rushdie dhe shokët e tij në universitetet më të zhvilluara të botës ngjizin një botë të re. Një botë krejtësisht të re, një botë krejtësisht në ikje nga e kaluara. Hippy, teoritë që lindin si kërpudha, psikanalizimi i çdo gjëje qoftë edhe i ngjyrës së syve etj, dhe sidomos drogat dhe ‘tripi’, pastaj edhe vet Aldous Huxley (shkrimtar anglez i cili kishte eksperimentuar me veten në droga dhe kishte përshkruar tërë përvojën e tij në një libër “Doors of Perception”), pastaj edhe vet psikanalisti dhe psikiatri Timothy Leary i cili kishte shpallur metodë të re të shërimit psikik përmes drogave të rënda, etj.
Paraprakisht Beat Generation me Jack Kerouack & Co, kishin çarë tërë perden e hekurt të civilizimit dhe të civilitetit të asaj kohe, me po të njëjtat eksplorime si në dekadën vijuese, gjë që është një vazhdim e sipër.
Edhe Bob Dylan ka qenë dhe shpesh merret si pjesëtar i Beat Generation, në shumë nga shkrimet e tij ka përmbajtje dhe ballafaqim deri në asht ndërmjet vet atij dhe jetës, botës e universit/ales.
Tërë muzika bashkëkohore dhe në përgjithësi amerikane, prej Heavy Metal, pop, e deri tek Country, ka pësuar influenca tejet të rëndësishme që nga paraqitja e Bob Dylan-it.
Bob Dylan incizon albumin e tij të parë pikërisht në vitet gjashtëdhjetë, kur edhe ka incizuar Miles Davis dhe John Coltrane, dhe edhe kur Beat Generation kishte arritur kulminacionin dhe poashtu edhe pak vite më vonë ishte përkufizuar lëvizja Hippy.
Për tërë Perëndimin këto kanë qenë vite të arta të zhvillimit njerëzor, për shumë prej tyre sot, zhvillimet dhe progresi i sotshëm janë rezultat i këtyre shpërthimeve revoltimeve dhe eksplorimeve me droga në atë kohë dhe dekadë.
Mirëpo, po të dëgjohet poezia e Bob Dylan-it jashtë asaj që keqkuptohet si Cool dhe ‘trip’, ajo është sigurisht një nga klithmat më të sinqerta dhe më të rëndësishme të kësaj gjenerate dhe përmbysjeje të historisë shpirtërore të njerëzimit e deri tek rendet politike; një nga përvojat më individuale të tërë historisë moderne të përplasura në ‘civilizimin’ e Perëndimit; një nga mendimet (për t’iu kthyer marrëdhënies së adhurimit tonë ndaj ushqimit) më origjinale të njeriut post-ekzistencial.
“I ain’t busy living, I’m busy dying” (nuk jam nxënë duke jetuar, jam nxënë duke vdekur), është një nga vargjet më të njohura të Dylan. Është pikërisht dhe sigurisht një nga momentet kyçe të përplasjes së “mirëqenies” së Perëndimit (post viteve gjashtëdhjetë) me përvojën, si dhe pikërisht fillimi i fundit të kësaj gjenerate të “Artë”.
Pastaj është edhe një varg tjetër i tij (me gjasë huazuar nga shkëmbimi popullor), sigurisht më i njohuri në tërë historinë e muzikës bashkëkohore, e që është “Like a rolling stone” (si një gurë që bie, përkthim i lirë). Pikërisht ky varg është tërë historia e kësaj gjenerate, jete dhe përvoje dhe filozofie. Pikërisht jeta e rinisë Perëndimore, duke përfshirë edhe Kosovarët por jo Shqipërinë e atëhershme, e udhërrëfyer nga ekzistencializmi dhe liria e shkëputjes nga ‘bota e vjetër’, krijon nga çdo i ri një “guri që bie” në jetën e tyre të “pavarur, individuale” dhe tërësisht të ëndërrt (në kuptimin negativ).
Metafora e “like e rolling stone” është pikërisht e vërteta e kësaj jete, që është ikje nga e kaluara, dhe mosbesim dhe pandihmëshmëri në ndërtimin e të ardhmes. Pikërisht kjo fjali është e vërteta e tërë kësaj gjenerate. Kjo është në të vërtetë vetë epidemia e shoqërisë njerëzore në tërësi, influencuar nga teoretizimet dhe eksplorimet. Por në anën tjetër, kjo është zgjidhja të cilën e kishin gjetur gjenerata Hippy (nisur nga Beat Generation) nën izolimin e çeliktë të botës në dy çeli: perëndimin (SHBA & Co.) dhe lindjen (Bashkimin Sovjetik).
Në shumë nga filozofia dhe këndimet e Bob Dylan ka dhe kërkim në dhe shprehje të vetë autoktonëve të Amerikës, pra të indianëve amerikan. Po ashtu në të njëjtin këngëtar mund të çëmtohet edhe Nick Cave, Eddie Vedder, dhe Alanais Morisette, dhe tërë galeria e yjeve të Rock-ut.
Përmbajtja e poezisë dhe këngëve të Bob Dylan janë tërësisht një e vërtetë dhe një projekt i plotë, i fuqishëm dhe i paharrueshëm, dhe ajo është përballja e njeriut me botën sikur “rollin’ stone”.
Kur flasim për projekte letrare, vepër jetësore të plotë dhe të tërësishme përkushtuar njerëzimit dhe idesë të shpalimit të të panjohurës, Ismail Kadare është tërësisht i pashmangshëm këtu. Por, është një gjë krejtësisht tragjike (shpresoj të jem gabim këtu) se është pikërisht një studiues letrar francez i cili e kishte shtjelluar në tërësi këtë vepër mbarënjerëzore. Sigurisht shumë nga letrarët tanë as nuk e kanë të qartë këtë, por vepra e Kadaresë është një shtjellim i njerëzimit në një projekt gjithëpërfshirës në disa nivele: aktualitetit në të cilin është shkruar; tiranisë në të cilën ishte gjendur njerëzimi, si në Lindje, e sidomos në Shqipëri, dhe në Perëndim (për këtë të dytën mund të konsultohet vepra “Hija”p.sh.); metaforizimi i Perandorisë Otomane, më thellë në religjionet Abrahamike, dhe deri tek zanafilla në piramidat afrikane/egjiptase.
Po ashtu është edhe dimensioni gjeografik (siç e thotë edhe Kadare me shaka duke qortuar veten për eksplorimin “megaloman” të pakufi), prej Kinës e deri tek New Yorku etj.
Pastaj është edhe dimensioni historik, si ai kombëtar e po ashtu edhe dimensioni ballkanik e botëror, etj.
Është me të vërtetë gjigant ky projekt, dhe doemos i shpërblyer për këtë nga tri kombet tejet të rëndësishme në Evropë e tutje: Man Booker International (Britani); Çmimi mbretëror në Spanjë dhe në Francë. Është projekt për të cilin as nuk janë të vetëdijshëm shumica e letrarëve shqiptarë, projekt i cili medoemos nënkupton edhe rebelimet e helmueshme të taboreve të ndryshme të shoqërisë shqiptare etj.
Në krahasim me veprën e Bob Dylan, kjo është një vepër gjigante, është një përpjekje (siç e thotë edhe vet autori për të ruajtur shpirtin shqiptar i cili ishte depersonalizuar gjatë tiranisë së Hoxhës dhe po ashtu edhe herë të tjera në historinë tonë, mirëpo vepra e Dylan është po ashtu një projekt gjigant i një njeriu, i cili ka arritur që të thyej tutje tërë “hype” rreth kulturës së “cool-it dhe drogave dhe ka arritur të tregoj diçka tërësisht universale dhe të fuqishme, si ndaj rendit të botës në të cilën kemi jetuar, si ndaj religjioneve, dhe ndaj tërë keqkuptimit të – lirisë -.
Vepra jetësore e Dylan ka arritur që të shpreh tërë dhembjen dhe pashpresën e njeriut “modern” pikërisht ndaj modernizimit të saj. Është një varg i cili është tërësisht dillanian dhe unik në letërsinë dhe produksionin e muzikës moderne, gjë që ngjanë sikur një ylber (negativ) që shtrihet mbi njerëzimin, me vetëm dy fjalë: It’s hard, It’ hard, It’s hard rain gonna fall (është rëndë, është rëndë, është rëndë, rëndë ka për të reshur).
Një prej pikëtakimeve më të rënda dhe më të dhembshme ndërmjet letërsisë kadareane (dhe kësaj kategorie të letërsisë) dhe letërsisë së Bob Dylan-it është ajo që po e quajmë botë e vjetër me botën e re. Kadare është ndoshta shkrimtari më racional në këtë kohë tani, dhe Bob Dylan, ndër të tjera, ka qenë eksploruesi më avangard i kulturës së drogave; pastaj letërsia kadareane mund të jetë eksplorim i thellë i rëndësishëm, dhe letërsia dillaniane mund të jetë eksplorim përballë aktuales cilado qoftë ajo (sipërfaqësisht), mirëpo letërsia e Bob Dylan gjithherë ka përparësinë e të qenit përvojë personale, derisa ajo kadareane përvojën personale e njeh, kërkon dhe metaforizon si përvojë universale, derisa për Dylan përvoja personale është gjaku i veprës së tij, për Kadarenë (përpos në “Koha e shkrimeve” dhe disa të tjera) përvoja personale është private dhe e mishëruar në thellësitë shpirtërore të njerëzimit; pastaj është ndeshja ndërmjet skemës në letërsinë Kadareane dhe asaj që vjen si “gjakderdhje” nga të qenit në ring me jetën për Bob Dylan (I saw a tree drippin Blood (A Hard Rain’s Gonna Fall)(Kam parë një lis duke rrjedhur gjak), dhe “It’s All Right Ma (I’m Only Bleeding) (Në rregull nënë vetëm po derdh gjak). Mirëpo ajo ku thyhet dhe ndoshta prodhon klasë të artit vepra e Dylan me atë të Kadaresë, është pikërisht qëllimi dhe kuptimi i këtyre të dyjave: derisa Kadare ka për qëllim emancipimin kombëtar dhe njerëzor, Dylan është më shumë një boksier me aktualen pavarësisht qëllimit, apo pa një qëllim të paramenduar, ka njëlloj dallimi ndërmjet të paramenduarës dhe spontanes së jetës.
Pikërisht këtu lind dilema e madhe bashkëkohore, mbi vetë çmimin e Nobelit dhe të botës aktuale. Ajo që ka krijuar kërkimi i Komitetit të Nobelit vitet apo dekadën e fundit, që prej Le Clezios, shkrimtares rumune, shkrimtares ruse dhe këtë herë me atë të një muzikanti është një tronditje e njerëzimit për rëndësinë e muzikës, përvojës së modernizmit dhe përfshirjen e muzikës dhe muziktarëve në shpërblim (gjë që duhet kuptuar si njohje) më të madh, më të rëndësishëm dhe më universal të muzikës klasike dhe jo-klasike. Një fuqizim më të madh të kësaj përvoje e cila na ka bartur në tërë këtë histori.
Pavarësisht, të dy, Kadare dhe Dylan kanë qenë të dy nën përvoja të tmerrshme jetësore, të cilat i kanë vënë në shërbim të njerëzimit, dhe të cilat kanë arritur të ri-ngrisin njerëzimin në një vetëdije më të guximshme ndaj vetmisë sonë (siç thotë Kadare) dhe ndaj grushtit të realitetit të cilin e kemi krijuar (Bob Dylan). Një vetëdije, përjetim dhe kuptim më të thellë të asaj që religjionet e kishin ndjerë por jo edhe përballur. Dy autorë, profetë të asaj që kemi sot.

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Kulturë

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar