Jo HEC në Valbonë: Ja ç’deklarojnë Eda Zari e Elina Duni

Jo HEC në Valbonë: Ja ç’deklarojnë Eda Zari e Elina Duni
Loading...

Dy këngëtaret e xhazit, Eda Zari dhe Elina Duni dalin sot në një konferencë për mediat, për të prezantuar koncertin-protestë që do të mbajnë nesër në Valbonë. “Të mbrojmë tokën, ujin, ajrin dhe jetën!”, me këtë moto këngëtaret prej javësh po përgatisin këtë pasi kanë ndjekur zhvillimet e fundit në vendin tonë, dhe shprehen se janë të shqetësuara mbi vendimet që po merr politika për luginën e Valbonës

Dy këngëtaret e xhazit, Eda Zari dhe Elina Duni dalin sot në një konferencë për mediat, për të prezantuar koncertin-protestë që do të mbajnë nesër në Valbonë.

“Të mbrojmë tokën, ujin, ajrin dhe jetën!”, me këtë moto këngëtaret prej javësh po përgatisin këtë pasi kanë ndjekur zhvillimet e fundit në vendin tonë, dhe shprehen se janë të shqetësuara mbi vendimet që po merr politika për luginën e Valbonës.

“Duke ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri, u shqetësuam nga dy ngjarje që prekin ndjeshëm të tashmen dhe të ardhmen e vendit: ndërtimin e HEC-eve në shtratin e lumit të Valbonës, dhe debati i ligjit “Për importin e mbetjeve në Shqipëri”. Për të shprehur shqetësimin tonë dhe për të sensibilizuar opinionin publik, ndërmorëm organizimin e dy koncerteve-protestë, një në Valbonë dhe një në Tiranë, në kundërshtim të ngjarjeve të mësipërme”, shkruhet në deklaratën për shtyp që këngëtarja Eda Zari ka shpërndarë dje.

“Kur mendimet e Evropës nuk përputhen me politikat e Tiranës, ata Evropën nuk e përmendin. Kjo logjikë referimi nuk qëndron. Dëshirojmë të kujtojmë se Parlamenti Evropian është shprehur se Shqipëria nuk duhet të prekë në asnjë mënyrë parqet kombëtare, ku bëjnë pjesë Vjosa dhe Valbona. Po aq justifikimi se prodhimi i energjisë elektrike është i rëndësishëm, përsëri nuk qëndron: është po parlamenti evropian që thotë se Shqipëria nuk ka nevojë për aq shumë energji. Dhe ne themi: ndoshta aferat dhe sipërmarrjet private kanë nevojë për atë ‘energji’”, ka vazhduar më tej deklarata.

Sipas ligjeve të Shqipërisë, Lugina e Valbonës është zonë e mbrojtur, është park kombëtar i kategorisë II, prandaj sipas artisteve brenda territorit të këtij parku nuk lejohet asnjë formë ndërtimi, aq më tepër ndërtimi i HEC-eve, të cilat do të zhvendosin ujin dhe shtratin e lumit, për ta burgosur nëpër tubacione. Artistët reagojnë se e gjithë praktika e dhënies së lejeve të ndërtimit për këto HEC-e është mbajtur deri sot, e fshehtë nga një grup banorësh, të cilët në mënyrë ligjore, kanë kërkuar transparencë. Po ashtu, institucionet që janë përgjegjëse për të garantuar këtë transparencë nuk po kryejnë detyrën e tyre, dhe askush nuk po shqetësohet të kontrollojnë a po funksionojnë institucionet.

Për këtë në deklaratën e tyre nuk hezitojnë që ndërtimin e HEC-eve t’ia faturojnë faktit se është biznesi privat që pasurohet, si heshtin institucionet, shteti duke u justifikuar në mënyrë të bindshme, “duke u përpjekur të trajtojë shtetasit si fëmijë”.

“E njëjta situatë ndodhi në mënyrën si u hartua dhe u votua në Parlamentin Shqiptar ligji “Për importin e mbetjeve”, pa asnjë fushatë informimi, pa marrë parasysh se ligjet në Parlament kalojnë duke pasur në vëmendje interesat e vendit, domethënë, të qytetarëve. Kur qytetarët mbahen larg ngjarjeve dhe në errësirë të fakteve, asgjë e mirë nuk mund të ndodhë në dobi të qytetarëve, por e kundërta. Parlamenti evropian u prononcua edhe për importin e mbetjeve: Shqipëria nuk riciklon as 30% të mbetjeve të veta, Shqipëria nuk ka arritur ende të bëjë ndarjen në burim të mbetjeve të veta”, reagojnë artistët edhe për çështjen tjetër mjaft të kundërshtuar siç është ligji për mbetjet.

Nga kjo situatë e krijuar duke pasur përgjegjëse të gjitha formacionet politike në Shqipëri, këngëtaret ndajnë se këto arsye ishin nxitje për të marrë nismën e organizimit të koncerteve-protestë në Shqipëri, njërin në Valbonë, në 29 tetor, pikërisht aty ku po ndodh shkatërrimi i Parkut Kombëtar të Valbonës dhe tjetrin në 30 tetor në Tiranë, “aty ku po kërkohet të ligjërohet përfundimisht rrënimi i natyrës shqiptare”.

“Kjo nismë ka për qëllim të sensibilizojë vetë qytetarët, në radhë të parë, sepse, pa natyrë të shëndetshme, nuk ka jetë të shëndetshme, nuk ka të ardhme të shëndetshme. Natyra, burimet natyrore, ato vende të shpallura Pasuri Kombëtare, janë pronë e çdo shqiptari, dhe nuk mund të përdoren për interesa të ngushtë individualë. Shteti duhet të jetë garant për këtë, është përgjegjësi e tij! Por, sa herë që cenohet natyra, çdo shqiptar ka detyrë të reagojë. Shteti ka detyrë të funksionojë. Nëse ndodh ndryshe, nuk kemi as qytetarë, as shtet. Prandaj, iu bëjmë thirrje qytetarëve të kërkojnë të drejtën e tyre, të shprehin lirshëm ndërgjegjen e tyre qytetare, dhe i bëjmë thirrje shtetit, në gjithë hallkat e tij, të funksionojë”.

Këngëtaret ndalen në faktin se ky koncert-protestë nuk ka asnjë qëllim politik, dhe as është e përkrahur nga ndonjë axhendë politike. Deklarata mbyllet: “Çdo përdorje e kësaj proteste nga palë që kanë qëllime të ndryshme, nuk miratohet nga ana jonë. Ndërkohë, ftojmë çdo organizatë, të bashkohet me nismën tonë, me moton e mësipërme, ashtu si mundet, në çfarëdo forme mundet”.

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar