Ky është mjeku i vetëm shqiptar në fshatin malor të Zvicrës nga Tetova

Ky është mjeku i vetëm shqiptar në fshatin malor të Zvicrës nga Tetova
Loading...

Emmeten është një fshat në Kantonin e Nidwalden me një pamje mahnitëse të liqenit dhe maleve. Një oazë e qetë, verës dhe dimrit.

Një fshat pothuaj i paprekur nga të huajt. Përveç gjermanëve të pasur janë vetëm dy familje shqiptare që kanë gjetur shtëpinë e tyre të dytë në Emmeten. Në zemër të këtij fshati punon ordinanca e shqiptarit nga Tetova Semun Avdili. Problemet ekonomike e sollën në vitin 1990 në Zvicër. Tetovari Semun Abdili sapo kishte diplomuar në mjekësi në Shkup, por diplomës së tij iu desh nostrifikimi në Zvicër. E ky proces për doktorin nga Tetova nuk i kishte edhe i lehtë. Ishin 5 provime diferenciale për t’i dhënë shtesë në Zvicër. Pasi kaloi provimet diferenciale për 5 vite kaloi në specializim si mjek i mjekësisë së përgjithshme.

Duke specializuar, Abdili shëtiti dhe përfitoi eksperiencë mjekësore në shumë spitale zvicerane. Në fillim mantelbardhi nga Maqedonia për shkak të barrierave gjuhësore kishte punuar si infermier për 3 vjet me radhë. Diku 10 vjet i shkuan Abdilit për t’iu bashkangjitur kolegëve zviceranë. “Ishte rrugë e gjatë dhe shumë e mundimshme. Shëndetësia zvicerane është më e suksesshmja në botë ngase funksionon në bazë të sistemit dual, teorinë e mëson në libra ndërsa praktikën në spitale. Krejt ndryshe nga sistemi i atjeshëm, në Ballkan, ku kanë më shumë teori ndërsa praktikën e kanë shumë të dobët”, thotë në fillim të kësaj bisede për albinfo.ch, doktor Abdili.

Pasi kishte përfunduar specializimin në vitin 1999, doktori kishte problem tjetër për të gjetur punë. E kjo ishte e parealizueshme nëpër qytete ngase kishin bërë invazion mjekët gjermanë. Një shpallje në internet ishte me fat për doktorin shqiptar nga Maqedonia. Nuk bëhej fjalë për punë në ndonjë qytet por në një fshat të largët malor të Zvicrës, në të cilin shërben si mjek sot e 16 vjet. Janë dy fshatra zvicerane në të cilat mjeku shqiptar tashmë ka gjetur shtëpinë e dytë, njëri me 1300 banorë e tjetri me 800, duke i përfshirë edhe turistët që janë të shpeshtë në ato vende që janë atraksione turistike.

Edhe Abdilin në fillim e pranuan me skepticizëm

Doktori nga Tetova kishte zëvendësuar një mjek zviceran i cili për shkaqe shëndetësore kishte braktisur profesionin edhe një mjek gjerman që nuk ishte pranuar nga banorët lokal zviceranë. “Doktor, më pengon mbiemri Abdili, pastaj më duhet të di mendimin e bashkëqytetarëve të mi për ty, dhe e treta, si dukeni. Pasi kaluat të gjitha këto pengesa tash më keni paciente lojale deri në vdekje”, citon një banore zvicerane doktor Abdili… Pacient i tij është dhe kryetari i Komunë së Emmetten-it.

Turizmi dimëror në fshatrat zvicerane ku shërben Abdili është shumë i zhvilluar, ndërsa nuk janë larg as pistat e skijimit, dhe kjo ia shton numrin e pacientëve doktorit shqiptar. “Por edhe turizmi veror është zhvilluar për shkak të liqenit. Duke qenë ky vend atraksion turistik, vijnë të huajt e pasur në vilat e tyre malore. Do të thotë kemi një popullatë të përzier”. Është një fenomen interesant që e përdorin fshatarët. “Fshatari i Emmettenit vjen te mjeku me kokën ndër sqetull”, tregon doktori se fshatarët nuk i kërkojnë shumë shpesh shërbime mjekësore. Për shkak se është vend malor, banorët e këtyre fshatrave ku shërben mjeku me origjinë nga Tetova janë shumë të shëndetshëm. Mesatarja e vdekjeve te burrat shkon në 82 vjeç, gratë në 84, shumë rrallë vdesin nga kanceri. Popullata është shumë aktive por sëmundjet patologjike nuk mungojnë dhe janë mbi 10 mijë pacientë që trokasin në derën e ordinancës së doktor Abdilit, e cila punon 5 ditë në javë.

Me priftin në ritualet fetare

“Më së shpeshti kemi pacientë me sëmundje patologjike, por për shkak që është vend turistik, dimrit vijnë pacientë me thyerje, fraktura. Kemi një klientelë të ndryshme prej thyerjeve deri te sëmundjet kardiovaskulare. Dallimi në mes të pacientëve të qytetit dhe fshatit është se këta të fundit vijnë shumë rrallë te mjeku e ata të qytetit vijnë dhe për një grip”, thekson Abdili.

Doktori që nga viti 2000 viziton pacientët edhe nëpër shtëpitë e tyre. Në të njëjtën kohë doktori gjen kohë të vizitojë pacientët edhe në shtëpitë e pleqve. “Të gjithë e dinë se jam shqiptar. E vetmja që më është dashur të bëj që të jem i pranuar mirë ka qenë të mësoj edhe dialektin zviceran të gjermanishtes”, tregon Abdili. Gjatë aktiviteteve të lira me zviceranët, e vërejta se unë isha pakicë, dhe në shoqëri me ta detyroheshin për shkak timin të flisnin të gjithë në gjuhën letrare gjermane. Dhe e pyeta veten se a mund unë t’u përshtatem atyre dhe ia arrita qëllimin me ndihmën e një filologu nga Baseli, i cili më ka konjuguar 50 folje nga gjuha letrare gjermane në gjuhën e dialektit zviceran”, tregon Abdili. Kjo ka krijuar simpati te banorët lokalë se përveç integrimit doktori kishte përshtatur edhe gjuhën e tij me të tyren. Edhe pse vetë i besimit mysliman, doktori kur t’i vdesin pacientët, bashkë me priftin merr pjesë në ritualet fetare.

Ruan traditat shqiptare dhe gjuhën shqipe

Në një fshat i tëri zviceran dhe i paprekur nga të huajt për shkak të banesave të shtrenjta, doktori ka ruajtur origjinën shqiptare. “Është mëkat i madh kur fëmijët e një intelektuali nuk dinë shqip. Më pengon kur fëmijët e intelektualëve shqiptarë të asimilohen, e këtë nuk ma lejon edukata familjare që jemi rritur në një frymë patriotike. Do të isha turpëruar gjatë vizitave në vendlindje nëse fëmijët e mi nuk dinë të komunikojnë në shqip”.

Tërë këto vite në Zvicër, doktori ka punuar bashkë me gruan në ordinancën e tij në fshat. Ajo është profesoreshë e biologjisë ndërsa në Zvicër punon si infermiere. “Pa gruan time nuk mund të funksionoj ngase në profesionin e mjekut të duhet një njeri i besueshëm. Por, për mua ishte përparësi.

Semun Abdili po vazhdon punën si mjek ndërmjet fshatit dhe qytetit. “Më mungon qyteti dhe pacientët këtu janë të ndryshëm me ata në fshat”, thotë internisti shqiptar. Ai, dy herë në javë ofron shërbime mjekësore në një ordinancë që e ka hapur në Cyrih-Oerlikon para një viti.

Janë katër gjenerata të motrave medicinale që janë përgatitur në profesionin e tyre nga doktori nga Tetova.

Me gjithë suksesin në punën e tij si mjek ai e ka një brengë që nuk arrijnë të bëhen bashkë mjekët shqiptarë në Zvicër, qoftë nëpër shoqata apo simpoziume. Këtë diagnozë nuk e di doktori!

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar