Superliga, Partizani nuk zhgënjen as ndaj Korabit

Superliga, Partizani nuk zhgënjen as ndaj Korabit
Loading...

PartizaniPartizani vuajti, por në fund bëri detyrën dhe fitoi 1-0 përballë Korabit, në një ndeshje që u vendos nga goli i Ekuban. Suksesi i tretë radhazi për të kuqtë me Starovën në stol, me ekipin që grumbulloi 9 pikë në harkun e 9 ditëve në Kategorinë Superiore. Sfida nisi me homazhet dhe një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të dy legjendave si Safet Berisha dhe Esat Rakiqi. Partizani mori kontrollin e fushës, në tentativën për të zhbllokuar sa më shpejt sfidën. Por, fillimisht Bardhi dhe pas tij Ekuban humbën takimin me topin, duke mos arritur të devijonin drejt rrjetës.

Korabi provoi te reagonte me ish-in e madh të sfidës, Nderim Nexhipin, që fillimisht goditi dobët nga distanca, ndërsa me pas nuk arriti të devijonte drejt portës një harkim nga goditje këndi. Pas këtyre momenteve, Partizani nisi ofensivën dhe në të 30-ën ishte fare pranë golit me Torasën, goditja me kokë e të cilit u frenua nga fluturimi i Vujadinoviç. Por, nëse me duar ofron garanci, gardiani malazez vuan me këmbë, duke i dhuruar golin Kaleb Ekuban. Sulmuesi nga Gana nuk u mendua dy herë pas gafës së portierit dhe me një të djathtë perfekte e dërgoi topin në rrjetë. Goli i katërt në tre ndeshjet e fundit për Ekuban dhe i pesti në këtë sezon.

Në mbylljen e fraksionit të parë të lojës, Korabi provoi, fillimisht me tentativën potente të Zguros nga goditje standarde dhe më pas me Plakun, që i harruar në zonë ishte një kohë vonesë dhe nuk arriti ta devijonte topin drejt portës. Pas rifreskimit të skemave të lojës në pushimin ndërmjet pjesëve, Partizani vazhdoi sulmet në kërkim të golit të sigurisë. Në të 52-ën Ekuban u frenua nga Vujadinoviç, me topin që u përplas në fytyrën e portierit, ndërsa në vazhdim të aksionit goditja e Trashit u ndalua nga muri i mbrojtësve, me lojtarët e Partizanit që pretenduan 11-metërsh, por gjyqtari Sadiku vazhdoi lojën.

Në një ndeshje në dukje të lehte, te Partizani kishte kohë për debutimin sezonal të Renato Malotës, i aktivizuar pas dëmtimit të Krasniqit, që u largua nga fusha me barrelë. Pikërisht fakti që e mendoi ndeshjen të mbyllur përpara kohe i rrezikoi të kuqtë, me Korabin që goditi shtyllën me Sebino Plakun 10 minuta përpara fundit. Sulmuesi tentoi sërish pa sukses të ndëshkonte ish-skuadrën e tij (min 89) ndërsa sfida u mbyll me tentativën e Trashit për Partizanin. Shifrat nuk ndryshuan, megjithatë fitorja minimale i mjafton të kuqve për të arritur suksesin, duke konsoliduar vendin e dytë në renditje, në kuotën e 17 pikëve. Tashmë të kuqtë presin me besim dhe entuziazëm duelin direkt për titull me Skënderbeun, që do të mbyllë fazën e parë të kampionatit.

22 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Burimi i artikullit: Gazeta SHQIP | Sport

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar