Tirana night life – Trixa dhe Albani

Tirana night life – Trixa dhe Albani
Loading...

Këngëtari  Alban Ramosaj, një nga konkurrentët më të spikatur të edicionit të sivjetmë të “Dance with me” dhe motra e tij, këngëtarja e njohur Beatrix Ramosaj, të shtunën (1 Tetor 2016), kënduan për herë të parë së bashku. E tëra ndodhi në podiumin e vogël të Garage Pub në Tiranë.

Nga Albatros Rexhaj

Një repertor kryesisht me këngë soft dhe balada, ndryshe nga repertori i zakonshëm i të kënduarit LIVE në klube, por Trixa dhe Albani ia dolën që të dëshmojnë se atmosfera e bukur në një klub nate, nuk varet nga notat e larta e ritmi i shpejtë i muzikës, por kryekëput nga emocioni i bukur në skenë. Vëlla e motër, që të dy emra të njohur dhe të dashur të skenës muzikore, performuan për herë të parë bashkë, por nuk mund të them se ishte ndjesia e veçantisë së kësaj ngjarjeje që e mbushi me entuziazëm simpatik paraqitjen e tyre skenike. Jo, Trixa dhe Albani ndiheshin komodë, thuajse e gjithë mbrëmja ishte një akt sublim dashurie. Dhe publiku e ndjente këtë.

E ndjeva edhe unë!

Fatmirësisht, atë natë të isha i shoqëruar nga një zonjëz, mikeshë e imja shumë e veçantë në thjeshtësinë e saj që ndan entuziazmin tim për kërcim, prandaj edhe besoj se ishim të parët që me shumë qejf filluam të kërcenim. E nisëm me “Qysh ki qef” të Trixës dhe përfunduam në një rumba shumë sensuale me tingujt e këngës “A më do?” të Albanit. Ndërsa shijoja kërcimin, mendoja për fuqinë e muzikës atëherë kur notat dhe fjalët dalin nga zemra dhe janë të ngjizura thjesht për kënaqësi të shpirtit. Dhe pikërisht harmonia ekzotike mes plagëve të zemrës dhe shtytjeve të shpirtit është formula sekrete prapa shpërthimit artistik të Alban Ramosajt. Të mos kemi asnjë dyshim, Albani i këndon zemrës së vet dhe duke e bërë këtë ai merr diçka nga zëri i secilit prej nesh, sepse gjuha e zemrës është e njëjtë në të gjitha zërat dhe gjuhët e botës.

sadzdf

Brezit të ri Albani mund t’ua përkujtojë Drake apo The Weeknd, ndërkaq mua më përkujton ditët e para të grupit Wham apo edhe ndonjë tjetër nga vitet e arta të muzikës pop. Por, të gjithë ne që bëjmë këso krahasimesh duhet të kemi sinqeritetin e mjaftueshëm për ta thënë haptas se Albani është pak nga të gjitha këto, por më së shumti është vetvetja. Alban Ramosaj e ka zbuluar se dimensioni më i fuqishëm i një artisti nuk është zotësia artistike, por është vërtetësia e emocionit dhe përjetimit që artisti projekton nëpërmjet veprës së tij. Dhe për ta kuptuar këtë duhet thjesht të reflektojmë mbi distancën e madhe artistike në mes të këngës “Ç’kemi” dhe këngës “A më do?”; te “Ç’kemi” hasim Albanin si këngëtar ende në kërkim të zërit të vet, ndërkaq te “A më do” dhe së fundmi edhe te “Aurora” përballë kemi një artist krejtësisht të veçantë. Alban Ramosaj është shembull tipik i shpërthimit të bukur që mund të ndodhë atëherë kur një artist i vërtetë e ndjek intuitën dhe përqafon tingullin e vet të shpirtit, duke u çliruar nga shtrëngesat, kufizimet, por edhe imponimi i stilit dhe shijeve që vijnë nga producentët dhe të tjerë që marrin guximin të flasin në emër të shijeve të publikut.

Në podiumin e vogël të Garage Pub, përtej kufizimeve të çuditshme që ndonjëherë i imponojnë skenat e festivaleve, pata rastin të shoh një këngëtar të madh teksa shpaloste vërtetësinë e tij artistike. E veçanta e të gjithë kësaj është se ky këngëtar i madh akoma është duke hedhur hapat e parë në karrierën e tij dhe e vetmja gjë që mund ta ndalë atë është veçse vetja e tij, nëse lejon që hienat e shumta të shoubizit dhe medias sonë t’ia vrasin entuziazmin.

Trixa është motra e madhe! E tillë ishte edhe në podumin e Garage Pub.

Një këngëtare e formuar që reflekton siguri, vetëbesim dhe një energji skenike që në shumëçka të përkujton pasionin e yjeve të mëdha të muzikës pop. Gjatë spektaklit “Dancing with the Stars” kam pasur rastin të dëshmoj nga afër fuqinë e transformimit që Trixa ka kur ngjitet në skenë dhe pasionin e saj që vazhdimisht ta dëshmojë veten. Për mua nuk ka asnjë dilemë se Trixa është një artiste me shumë klas skenik, mbase hapi i madh përtej shtegut që tashmë kanë trasuar tezja e saj Alberie Hadërgjonaj dhe kushërira Argjentina Ramosaj, por ka diçka që Trixën e frenon dhe nuk e lejon ta vërë në përdorim të gjithë potencialin e saj artistik. Kam përshtypjen se ajo duhet të çlirohet nga hija e Alberijes dhe Argjentinës, por edhe nga çfarëdo shtrëngese tjetër subjektive që mund të ketë, dhe, pse jo, ta bëjë atë që ka bërë Albani. Duhet ta ndjekë veç intuitën e saj.

lldfh

Në skenë, Trixa dhe Albani e plotësojnë njëri-tjetrin dhe nëse repertorin e tyre e pasurojnë me disa këngë që vetvetiu ndezin atmosferën, jam shumë i bindur se mjaft lehtë mund të kthehen në atraksionin e klubeve kudo që do të mund të shkojnë. Jo rastësisht përdora fjalën “atraksion”, pasi që ata shpërfaqen me një stil dhe repertor ndryshe, një muzikë që ndez emocion, por edhe krijon ndjesi intimiteti. Dhe kjo është në linjë të plotë me formulën që sot i jep energji klubeve më të mëdha të natës në botë: njerëzit kanë nevojë të kërcejnë, të dëfrehen, ta nxjerrin jashtë stresin që akumulojnë gjatë ditës, por, po ashtu, kanë nevojë edhe ta kultivojnë shpirtin me ritme të muzikës që vërtet buron nga zemra.

Këtë shënim nuk kam si ta mbyll pa i thënë dy fjalë për Garage Pub, një klub relativisht i ri në Tiranë, por shumë i veçantë për nga atmosfera që projekton. Dekor dhe menaxhim me shije që ta krijon ndjesinë se brenda atyre pak metrave katrorë je zhvendosur si në kohë ashtu edhe në hapësirë, thuajse ky vend është një lloj qerthulli ku mund të strehohesh fizikisht, por edhe shpirtërisht nga kundërmimi i zakonshëm i pordhave dhe krekosjes absurde të kudogjendur. Për fat të keq, si te një pjesë e madhe e klubeve shqiptare, edhe këtu shërbimi dhe kujdesi ndaj klientit është një fushë në të cilën akoma duhet punuar, por sido që të jetë, për mua, hë për hë, Garage Pub është vendi ku kohë pas kohe do të vazhdojë të kërkoj strehim.

(Ky shkrim është një reflektim krejtësisht personal)

Loading...
Facebook Twitter Google+

Facebook Comments

Artikuj të ngjashëm

Kliko Like per te vazhduar
Kliko Like për të vazhduar